Gjykata më e lartë franceze ka anuluar urdhrin e arrestit ndaj ish-presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, të lëshuar nga autoritetet franceze në nëntor 2023 për rolin e tij të dyshuar në sulmet me gaz sarin në vitin 2013 që vranë mbi 1,000 persona pranë Damaskut.
Në vendimin e marrë të premten, Gjykata e Kasacionit deklaroi se nuk mund të ketë përjashtime nga imuniteti presidencial, edhe në rastet e dyshuara për krime lufte apo krime kundër njerëzimit.
Megjithatë, kryetari i gjykatës, Christophe Soulard, theksoi se pasi Assad nuk është më president, pas rrëzimit të tij nga një grup islamist në dhjetor, “urdhra të rinj arresti mund të jenë lëshuar ose mund të lëshohen” ndaj tij, dhe se hetimet ndaj çështjes mund të vijojnë.
Grupet për të drejtat e njeriut kishin shpresuar që gjykata do të pranonte se, për shkak të natyrës së rëndë të akuzave, imuniteti nuk do të zbatohej, çka do të vendoste një precedent të rëndësishëm në të drejtën ndërkombëtare për ndjekjen penale të krimeve të luftës.
Hetimet e drejtësisë franceze u nisën në bazë të juridiksionit universal, që lejon gjykimin e krimeve të rënda të kryera edhe jashtë territorit të Francës dhe u mbështetën mbi dëshmitë e të mbijetuarve, ushtarakëve të arratisur, si dhe materiale vizuale.