Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, bëri thirrje për heqjen e parimit të votimit unanim në Bashkimin Evropian në fushat e politikës së jashtme dhe të sigurisë, dhe zëvendësimin e tij me parimin e shumicës, si në demokraci.
Nëse kjo ndodh, do të jetë lajm i mirë për Kosovën, pasi që pranimi i saj eventual në union nuk do të mund të pengohet me veto nga pesë shtetet anëtare që nuk ia njohin pavarësinë, e të cilat janë deklaruar se nuk do të votojnë pro kësaj mundësie.
“Në një demokraci, parimi i shumicës është normë, ndërsa unanimiteti përjashtim,” tha Wadephul gjatë një konference të përbashkët për media me homologen e tij irlandeze, Helen McEntee, në Dublin, raporton DPA.
“Dhe ne duhet ta bëjmë normën e demokracisë edhe normë në Bashkimin Evropian. Vetëm në këtë mënyrë Evropa mund të mbetet e aftë për të vepruar”.
Pas zgjedhjeve në Hungari më 12 prill dhe humbjes së Viktor Orbánit, tani ekziston një dritare e mirë kohore që duhet shfrytëzuar, tha kryediplomati gjerman.
