Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka kritikuar ashpër Gjermaninë për atë që e quajti “mosreagim ndaj gjenocidit të Izraelit” dhe sulmeve të tij ndaj Gazës.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, në Ankara, Erdogan tha se Izraeli ka qasje në armë bërthamore dhe armë të tjera të ndaluara, të cilat po i përdor për të kërcënuar Gazën, ndërsa “Hamasi nuk është i pajisur në të njëjtën mënyrë”. Ai shtoi se Izraeli ka goditur përsëri Gazën ditët e fundit, pavarësisht një armëpushimi në fuqi.
“Duhet t’i japim fund gjenocidit dhe urisë së qëllimshme duke përfshirë Kryqin e Kuq gjerman dhe Gjysmëhënën e Kuqe turke. A nuk i sheh këto Gjermania? Është detyrë humanitare e jona, e Gjermanisë dhe e vendeve të tjera që t’i japim fund urisë dhe masakrave në Gaza”, deklaroi Erdogan.
Erdogan theksoi se, njësoj si për përpjekjet për t’i dhënë fund luftës Rusi–Ukrainë, edhe për Gazën “Turqia dhe Gjermania janë dy vende kyçe që mund të bashkojnë forcat për paqen”.
Pavarësisht armëpushimit të brishtë të ndërmjetësuar nga SHBA-të që hyri në fuqi më 10 tetor, Izraeli kreu disa bombardime mbi Gazë pas vrasjes së një ushtari izraelit në Rafah të martën. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, sulmet hakmarrëse të Izraelit lanë 104 të vrarë, shumica gra e fëmijë.
