Vizita e Witkoff të premten ndodhi teksa zyra për të drejtat e njeriut e Kombeve të Bashkuara tha se forcat izraelite kanë vrarë palestinezët e uritur që po prisnin për ndihma.
Po ashtu, kjo vizitë u zhvillua në të njëjtë kohë kur u publikua një raport nga organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch (HRW), e cila po ashtu akuzoi forcat izraelite për “gjakderdhje të rregullta” pranë qendrave të ndihmës, që udhëhiqen nga organizata që mbështet SHBA-ja dhe Izraeli.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në territoret palestineze tha se që nga 27 maji, të paktën 1.373 persona janë vrarë ndërsa përpiqeshin të merrnin ndihma në Gaza — 105 prej tyre vetëm në dy ditët e fundit të korrikut.
Ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, shkroi në X se ai dhe Witkoffi vizituan Gazën për “të mësuar të vërtetën” lidhur me qendrat e shpërndarjes së ndihmave që operohen nga Fondacioni Humanitar për Gazën (GHF).
“U informuam nga ushtria izraelite dhe biseduam me njerëzit në terren. GHF-ja ofron mbi 1 milion shujta ushqimore në ditë”, tha Huckabee.
Ai shtoi se Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – “e urren GHF-në sepse u jep njerëzve ushqim dhe nuk lejon që ushqimi të plaçkitet nga Hamasi”.
