Ka nisur evakuimi i banorëve në zonën Barabit-Lluban, në Bashkinë Krujë, si pasojë e përhapjes së zjarrit.
Sipas Agjencisë për Media dhe Informim në Shqipëri, operacioni po zhvillohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefekturën e Qarkut Durrës, Bashkinë Krujë, Policinë e Shtetit, MZSH-në dhe Forcat e Armatosura.
Prioritet në evakuim kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi ndryshe dhe familjet që ndodhen në zona të izoluara, ndërsa Bashkia Krujë do të garantojë strehimin e përkohshëm dhe asistencën e nevojshme për të evakuuarit.
Autoritetet shqiptare u bëjnë thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet e strukturave të emergjencës dhe të bashkëpunojnë gjatë gjithë procesit të evakuimit.