Policia e Pogradecit ka vënë në pranga dy të mitur, të dy 16 vjeç, të dyshuar se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së një 42-vjeçari, ngjarje e ndodhur në muajin maj të këtij viti.
Në kuadër të hetimeve të vazhdueshme për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë, si dhe falë bashkëpunimit me qytetarët, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec siguruan informacione për dy të rinj që mbanin armë zjarri dhe dyshohej se ishin autorë të të shtënave.
Pas një operacioni policor, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve, në bashkëpunim me Patrullën e Përgjithshme, arrestuan shtetasit M. K. dhe J. H., të dy banues në Pogradec, shkruan A2 CNN.
Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej të miturve, në lagjen nr. 1, policia gjeti dhe sekuestroi një dorezë metalike (përforcues grushti), një sasi municioni luftarak dhe një gëzhojë arme zjarri model 56.




