Departamenti amerikan i Thesarit ka njoftuar sot heqjen e emërtimit si “Terrorist Global i Përcaktuar Posaçërisht” (Specially Designated Global Terrorist – SDGT) ndaj presidentit sirian Ahmad al-Sharaa dhe ministrit të Brendshëm, Anas Khattab, vetëm një ditë pas vendimit të ngjashëm të marrë nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.
Ky zhvillim vjen pak ditë para vizitës historike të presidentit al-Sharaa në Shtëpinë e Bardhë më 10 nëntor, ku ai pritet të takohet me presidentin amerikan Donald Trump – takim ky që shënon vizitën e parë të një kreu sirian në Uashington që nga pavarësia e Sirisë në vitin 1946.
Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Zyrës për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC), Thesari amerikan ka konfirmuar heqjen e të gjitha emërtimeve që lidheshin me al-Sharaan dhe Khattabin si pjesëtarë të ish-grupit Hayat Tahrir al-Sham (HTS), organizatë që deri në korrik të vitit 2025 konsiderohej degë e al-Kaedës në Siri.
Vetëm 24 orë më parë, më 6 nëntor, Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte miratuar me 14 vota pro (me Kinën që abstenoi) rezolutën e propozuar nga Shtetet e Bashkuara për heqjen e sanksioneve ndaj dy zyrtarëve sirianë, duke i larguar ata nga lista e ISIL-it dhe al-Kaedës.
Ambasadori amerikan në OKB, Mike Waltz, e ka quajtur vendimin “sinjal të fortë politik se Siria ka hyrë në një epokë të re pas rrëzimit të Bashar al-Assadit”.
Abu Mohammad al-Jolani, i cili për vite me radhë drejtoi HTS-në – grup që evoluoi nga Fronti al-Nusra (dega zyrtare e al-Kaedës në Siri) – udhëhoqi forcat që rrëzuan regjimin 54-vjeçar të familjes Assad më 8 dhjetor 2024. Në maj të vitit 2013, SHBA-ja e kishte shpallur atë “Terrorist Global të Përcaktuar Posaçërisht” dhe kishte vënë një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për kapjen e tij.
