Shtetet e Bashkuara po planifikojnë sulme të reja ndaj Iranit që mund të nisin që këtë fundjavë, ndërsa Presidenti Donald Trump po kërkon një zgjidhje për luftën, sipas dy zyrtarëve amerikanë të njohur me planet, raporton CNN.
Shtrirja e saktë e sulmeve dhe objektivat e mundshëm që SHBA mund të godasë nuk janë ende të qarta, ndërsa të dy zyrtarët theksuan se sulmet mund të anulohen.
Trump, duke folur gjatë një mbledhjeje të kabinetit të premten, paralajmëroi rifillimin e sulmeve të rënda, duke shprehur zemërim për përpjekjet diplomatike që, sipas tij, nuk kanë dhënë rezultat.
“Ne do t’i godasim shumë fort,” tha Trump. “Në një moment, ata do të thonë: ‘Nuk mund ta përballojmë më këtë.’”
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka përgatitur disa opsione dhe ka vendosur forcat e saj në gatishmëri për zgjerimin e luftës, përfshirë një fushatë intensive bombardimesh dyjavore kundër vendeve ku ndodhen raketat iraniane.
Gjithashtu, janë shqyrtuar plane që parashikojnë goditje ndaj objekteve energjetike të Iranit, thanë zyrtarët.
Administrata Trump ka qenë e kujdesshme në lidhje me goditjen e infrastrukturës energjetike iraniane, nga frika se Teherani mund të hakmerret duke sulmuar objektet energjetike në vendet e Gjirit Persik, gjë që do të trondiste tregjet globale të energjisë, të cilat tashmë janë nën presion për shkak të luftës.
