Një bisedë telefonike mes kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentit amerikan Donald Trump, më 23 shkurt, konsiderohet momenti përcaktues për zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, sipas një raportimi të publikuar nga Axios, që citon burime me dijeni mbi përmbajtjen e komunikimit.
Sipas artikullit, Netanyahu telefonoi Trump në fillim të javës së kaluar për ta informuar se udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollah Ali Khamenei, do të zhvillonte një takim në Teheran, mëngjesin e së shtunës, me këshilltarë të lartë.
Sipas vlerësimit izraelit, kjo krijonte mundësinë që të goditeshin të gjithë njëkohësisht, përmes një sulmi të vetëm.
Axios e cilëson telefonatën e 23 shkurtit si “thirrja që ndryshoi Lindjen e Mesme” dhe raporton se Trump CIA të verifikonte informacionet e siguruara nga shërbimi ushtarak i inteligjencës izraelite.
Agjencia amerikane thuhet se konfirmoi besueshmërinë e të dhënave.
Zyrtarë amerikanë të cituar nga media bëjnë të ditur se, ndërsa përgatitjet për një sulm të mundshëm ishin në zhvillim, Trump mori “vendimin e ndërgjegjshëm” për të mos u ndalur gjerësisht te Irani në fjalimin e tij për Gjendjen e Kombit, një ditë pas telefonatës me Netanyahun.
Sipas burimeve, ekzistonte shqetësimi se Khamenei mund të fshihej dhe t’i shpëtonte një sulmi nëse do të kuptonte se po afrohej një operacion ushtarak.
