Presidenti i Kongresit Botëror Boshnjak, Mustafa Ceriç, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me organizimin e kthimit të disa qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës nga Riadi drejt Prishtinës, një operacion që sipas tij u realizua nga institucionet e Kosovës.
Në reagimin e tij, Ceriç thekson se fluturimi me 14 qytetarë të Bosnjës dhe Hercegovinës në bord nuk ishte vetëm një operacion humanitar, por edhe një mesazh politik dhe moral për mënyrën se si funksionojnë shtetet dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Sipas tij, operacioni nuk u organizua nga shteti i të cilit ata persona janë qytetarë, por nga Kosova, një shtet që Bosnja dhe Hercegovina ende nuk e ka njohur zyrtarisht për shkak të bllokadave të brendshme politike.
“Ky fakt mbart simbolikë që është e pamundur të injorohet. Një vend që Bosnja dhe Hercegovina ende nuk e njeh formalisht ka treguar atë që vlerësohet më shumë në marrëdhëniet ndërkombëtare: aftësinë për të vepruar shpejt, me përgjegjësi dhe në interes të njerëzve”, shkroi ai.
Sipas Ceriçit, derisa institucionet e Bosnjës dhe Hercegovinës po dërgonin kërkesa dhe prisnin zgjidhje, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, së bashku me rrjetin diplomatik të vendit, organizuan operacionin e kthimit të qytetarëve, duke koordinuar procesin edhe përmes ambasadës në Zagreb.
Ai theksoi se në gjuhën burokratike ky proces quhet riatdhesim, ndërsa në gjuhën politike nënkupton një shtet funksional.
Në postimin e tij, Ceriç vuri në pah edhe lidhjet historike mes boshnjakëve dhe shqiptarëve, duke thënë se marrëdhënia mes dy popujve është më e vjetër se kalkulimet e sotme politike.
