Ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Harcenko, deklaroi se Perëndimi dëshiron të zëvendësojë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me një politikan të dobët që kontrollohet nga Bashkimi Evropian (BE).
“Në fakt, dëshira është të hiqet Vuçiqi dhe të vendoset një nga ‘liderët’, i cili do të ishte i njëjtë ose i ngjashëm me ata që janë formalisht në pushtet në vendet e tjera, por janë plotësisht të nënshtruar ndaj BE-së”, tha ai për agjencinë ruse të lajmeve, RIA Novosti.
I pyetur për këto deklarata të ambasadorit rus, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një konference për media tha se e falënderon diplomatin rus për “korrektësinë”.
Vuçiç u takua me Harcenkon më 21 gusht dhe pas këtij takimi njoftoi se një takim i nivelit të lartë mes udhëheqjes së Serbisë dhe Rusisë do të zhvillohet së shpejti.
“Theksova se mbetemi të përkushtuar për zhvillimin e marrëdhënieve miqësore me Rusinë, me një vendosmëri të qartë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin politik në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në Bosnje dhe Hercegovinë”, deklaroi pas atij takimi Vuçiq.
Reagimi i opozitës serbe
Partia opozitare Liria dhe Drejtësia (SSP) kritikoi ambasadorin rus për deklaratat, duke thënë se nuk është hera e parë që ai publikisht ndërhyn në çështjet e brendshme të Serbisë.
Zëvendëspresidenti i SSP-së, Borko Stefanoviq, shkroi në një letër të hapur drejtuar ambasadorit rus se ai prej kohësh “fyen vazhdimisht qytetarët e Serbisë, duke i etiketuar si mercenarë të huaj dhe instrumente të Perëndimit”.
“Me këtë veprim humbisni simpatinë e popullit tonë, sepse me të njëjtin këmbëngulje mbroni regjimin e një autokrati dhe veprimet e tij kriminale”, tha Stafanoviq.