Sulmi amerikan dhe izraelit i 28 shkurtit në Iran, ku u vra udhëheqësi suprem, ajatollah Ali Khamenei, ngriti shqetësime rreth sigurisë në shumë vende të botës, teksa Republika Islamike po kryen sulme hakmarrëse në vendet ku ekzistojnë baza ushtarake amerikane. Shqetësime të tilla u ndien edhe në Shqipëri, ku prej vitesh strehohet grupi opozitar iranian Mojahedin-e-Khalq (MEK), që njihet edhe si Organizata Popullore Muxhahedine e Iranit.
Në ditën kur nisën sulmet në Iran, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e mbështeti operacionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Izraelit, duke thënë se shteti që ai udhëheq është përballur drejtpërdrejt me “fytyrën barbare të regjimit të Teheranit, përmes agresioneve të tij kibernetike”.
“Për ne, kjo nuk është gjeopolitikë abstrakte. Është siguri kombëtare, qartësi morale dhe ligjore. Shqipëria do të veprojë në përputhje me këtë”, shkroi Rama në rrjetin social X, i njohur më parë si Twitter.
Qeveria shqiptare nuk iu përgjigj interesimit të Radios Evropa e Lirë lidhur me situatën aktuale të sigurisë.
Shqipëria e ka akuzuar Iranin për kryerjen e një serie sulmesh shkatërruese kibernetike ndaj saj që nga viti 2022, të cilat patën në shënjestër infrastrukturën digjitale shtetërore dhe shërbimet publike, dhe çuan në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes Tiranës dhe Teheranit.
Ekspertët e sigurisë janë të ndarë për rrezikun ndaj Shqipërisë, ashtu si edhe qytetarët: disa paralajmërojnë për kërcënime të reja kibernetike ose hibride, ndërsa të tjerë besojnë se prania e MEK-ut nuk e rrit ndjeshëm ekspozimin e vendit.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSKA) në Shqipëri i kishte thënë Radios Evropa e Lirë më 2025 se sulmet kibernetike kishin qenë të vazhdueshme nga viti 2022.
“Sulmet, kryesisht të tipit ‘wipe’ dhe ‘ransomware’, kanë pasur karakter shkatërrues dhe kanë synuar paralizimin e infrastrukturave digjitale, duke shkaktuar ndërprerje shërbimesh dhe pasoja për qytetarët”, thuhej në deklaratën e AKSK-së.
Ky institucion shqiptar nuk kishte bërë ndonjë lidhje mes prezencës së MEK-ut në Shqipëri dhe sulmeve nga Irani, teksa pohonte se “institucionet shqiptare kanë treguar maturi dhe kanë ndërmarrë masa për të forcuar qëndrueshmërinë kibernetike përballë kërcënimeve të mundshme në të ardhmen”.
Kush është MEK-u? MEK-u e konsideron veten lëvizje opozitare në mërgim kundër regjimit klerikal të Iranit. I themeluar si grup marksist kundër shahut, ai mbështeti Revolucionin e vitit 1979, por më pas u përplas me regjimin islamik, duke kryer atentate dhe sulme me bomba.
Për vite ishte në listën amerikane të organizatave terroriste, derisa u hoq në vitin 2013. Po atë vit, me ndërmjetësim të SHBA-së dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara, anëtarët e tij u zhvendosën nga Iraku në Shqipëri, ku ndërtuan kampin “Ashraf-3”, pranë Durrësit.
Por, kjo lëvizje nuk gëzon përkrahje popullore në Iran. Përfshirja e saj në një seri aktesh të dhunshme në vitet 1970 dhe 1980 në Iran, dhe vendimi i saj për të mbajtur anën e Irakut gjatë Luftës së përgjakshme Iran-Irak të viteve 1980-88, çoi në etiketimin e pjesëtarëve të grupit si tradhtarë në mesin e iranianëve.
Megjithatë, qëndrimi i MEK-ut në Shqipëri nuk ka kaluar pa probleme.
Më 20 qershor të vitit 2023, Policia e Shtetit shqiptar bastisi kampin e MEK-ut, nën dyshimet se disa pjesëtarë të tij kanë kryer veprat penale “provokim i luftës” dhe “sulme kibernetike”. Vetë MEK-u e cilësoi aksionin policor si “kriminal” dhe “shtypës”.
Çfarë thonë ekspertët? Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, thotë për Radion Evropa e Lirë se Shqipëria duhet të llogarisë si rrezikun e sulmeve kibernetike, ashtu edhe skenarë më të gjerë në rast zgjerimi të konfliktit.
“[Sulmet kibernetike] mund të përsëriten në sulme kibernetike të niveleve shumë herë më të larta se ato që kemi pasur. Jo vetëm kaq, Shqipëria është e rrezikuar, nëse do të kemi një zgjerim ushtarak të konfliktit, një shkëmbim me raketa. Shqipëria është në rrugën direkte ajrore që shkon nga Irani drejt Evropës”, vlerëson ai.
Kulla shton se “Shqipëria nuk mund të bëjë shumë në këtë aspekt”.
“Nëse zgjerohet konflikti, do të jetë për të gjithë, thjesht do të rrimë në rreshtin që kemi zgjedhur”, shprehet ai.
