Tërheqje politike apo taktikë për të qëndruar në pushtet? Kjo është pyetja që pason deklaratën e Aleksandar Vuçiqit, presidentit të Serbisë, para mijëra mbështetësve të tij të mbledhur të shtunën në një tubim në qendër të Beogradit.
Vuçiq u tha atyre se do të jetë president i shtetit “vetëm edhe për disa javë”.
Nëse kjo ndodh, ai do të tërhiqej më pak se një vit para përfundimit të mandatit të tij presidencial në maj të vitit 2027. Vuçiq është zgjedhur dy herë president i Serbisë dhe, meqë Kushtetuta serbe nuk lejon mandat të tretë, ai nuk do të mund të kandidonte përsëri për këtë post.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që ai paralajmëron tërheqje.
Në publik, ai ka ofruar dorëheqje në situata krizash më të vogla dhe më të mëdha politike.
Tani, për një vit e gjysmë, ai është përballur me njërën nga krizat më serioze, në valën e protestave që kërkojnë ndaljen e korrupsionit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Deri më tani, ai i ka refuzuar thirrjet për zgjedhje. Profesori i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, Dushan Spasojeviq, vlerëson se në deklaratën e tij të fundit mund të lexohet synimi për kalimin në postin e kryeministrit të Serbisë.
“Ardhja e tij eventuale në pozitën e kryeministrit vetëm do ta vendoste, në kuptimin kushtetues, aty ku ai tashmë është – si figura kryesore politike që merr të gjitha vendimet në vend”, tha Spasojeviq për Radion Evropa e Lirë.
Spasojeviq konsideron se ka disa “kalkulime politike” që mund ta kenë shtyrë Vuçiqin të paralajmërojë dorëheqjen.
“Njëra është se ai nuk mund të kandidojë më për president dhe duhet të kandidojë për një pozitë tjetër. Në këtë rast, mbajtja eventuale e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në të njëjtën kohë do t’i mundësonte atij të merrte pjesë plotësisht në fushatë”, thotë Spasojeviq.
Në tubimin në Beograd, Vuçiq u tha anëtarëve të partisë së tij se do t’i ndihmojë të fitojnë besimin e qytetarëve në zgjedhjet parlamentare.
Megjithatë, ai nuk tha se kur do të shpallen këto zgjedhje, as në çfarë mënyre planifikon të përfshihet në garën zgjedhore.
“Një llogari tjetër mund të jetë se Vuçiq konsideron se kandidati i SNS-së [Partia Progresive Serbe] do ta ketë të vështirë të fitojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe se po krijon paraprakisht një lloj tërheqjeje strategjike, për të kaluar në një funksion më të fuqishëm kushtetues”, vlerëson profesori i Fakultetit të Shkencave Politike, Spasojeviq.
Në deklaratat e tij gjatë muajve të fundit, Vuçiq nuk e ka përjashtuar mundësinë e kthimit në postin e kryeministrit.
Pyetjeve të REL-it për këtë çështje nuk iu përgjigjën as partia e tij, SNS, e as Presidenca serbe.
Çfarë mesazhi u dërgon protestuesve antiqeveritarë? Që nga nëntori i vitit 2024, Vuçiq po përballet me protesta masive antiqeveritare. Lëvizja studentore, e cila i udhëheq këto protesta, e akuzon pushtetin në Serbi për korrupsion dhe kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Me këtë, ai u dërgon mesazhin se vazhdon të jetë aktori që e përcakton dinamikën e proceseve – se, për shembull, mund të propozojë shpalljen relativisht të shpejtë të zgjedhjeve parlamentare, pastaj mund t’i përshpejtojë zgjedhjet presidenciale, ose t’i bashkojë apo t’i ndajë ato”, thotë Spasojeviq.
Protestuesit në Serbi kanë kërkuar nga Vuçiqi t’i respektojë kompetencat e tij kushtetuese si president i shtetit.
Sipas Kushtetutës së Serbisë, pushteti ndahet në legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, ndërsa funksioni i presidentit është kryesisht protokollar.
Ndër të tjera, presidenti e përfaqëson Serbinë brenda dhe jashtë vendit, komandon ushtrinë, shpall ligjet, i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, si dhe jep falje dhe dekorata.
Protestuesit antiqeveritarë e kanë akuzuar disa herë Vuçiqin për tejkalim të këtyre kompetencave, ndërsa për këtë kanë tërhequr vërejtjen edhe organizata të shumta joqeveritare në Serbi.
