NATO: Organizatat e sigurisë në Kosovë të vazhdojnë bashkëpunimin me KFOR-in për stabilitetin në Kosovë
Pushteti ka njoftuar se kanë filluar procedurat për formimin e një strukture të veçantë të sigurisë. Lidhur me këtë nismë nga NATO-ja, e cila që nga viti 1999 ka misionin e saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, thanë se po vëzhgojnë nga afër deklarimet e institucioneve në Kosovë për këtë çështje.
“U përket atyre që të komentojnë në më shumë detaje” për këtë çështje, tha një zyrtar i NATO-s.
KFOR-i, i cili është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë – pas Policisë së Kosovës dhe misionit për Sundim të Ligjit të BE-së, EULEX – veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Zyrtari i NATO-s tha se aleanca vazhdon të bashkëpunojë me të gjitha organizatat e sigurisë në Kosovë dhe të japë kontribut për siguri të qëndrueshme për të gjithë.
Zyrtari i aleancës ushtarake perëndimore tha po ashtu se Ekipi Këshillues i NATO-s dhe Ndërlidhës (NALT) ka mbështetur zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës “në përputhje me mandatin e tij origjinal për mbrojtje civile, përmes ndërtimit të kapaciteteve, edukimit dhe trajnimit”.
“Ne presim që organizatat e sigurisë në Kosovë të vazhdojnë këtë qasje bashkëpunuese, duke u koordinuar me KFOR-in për të kontribuuar në sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal, në të mirë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, tha zyrtari i NATO-s në një përgjigje për REL-in.