Çmimi i naftës ka pësuar rritjen më të madhe që nga muaji maj, duke arritur në 1.72 euro nga 1.69 euro sa ishte dje.
Sipas njoftimit të Ministrisë, një litër benzinë kushton 1.51 euro, ndërsa çmimi i gazit nuk ka ndryshuar, duke u tregtuar me 0.60 euro.
Çmimin më të lartë që nga nisja e luftës në Lindjen e Mesme, nafta e arriti në Kosovë më 9 prill, kur një litër shitej për 1.91 euro.
Mbushja e rezervuarit të automjeteve po bëhet gjithnjë e më e kushtueshme për qytetarët e Kosovës. Nga kjo e shtunë, një litër naftë po shitet me çmim prej 1 euro e 72 centësh, ndërsa benzina me 1 euro e 51 centë për litër.
Çmimi i gazit ka mbetur i pandryshuar, 60 centë për litër. Çmimet e reja janë publikuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, në një kohë kur tregjet ndërkombëtare të energjisë vazhdojnë të jenë të paqëndrueshme, si pasojë e zhvillimeve gjeopolitike dhe pasigurisë në furnizimin global me naftë.
Edhe pse çmimi aktual është ende nën nivelin më të lartë të regjistruar gjatë këtij viti, ai mbetet ndër më të lartët e muajve të fundit. Për shumë qytetarë, kjo nënkupton shpenzime më të mëdha për transport dhe një barrë shtesë për buxhetin familjar.
“Për standardin tonë nuk është i arsyeshëm. Tash po duhet me dal me i kry, s’po kemi çare”, thekson qytetari i intervistuar.


