Rënia e çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare nuk pritet të reflektohet menjëherë në tregun e Kosovës. Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari, tha se kjo ndodh për shkak të mënyrës së furnizimit dhe formulës së përllogaritjes së çmimit në vend.
Ajo shpjegoi se çmimi i derivateve në Kosovë përcaktohet sipas mesatares së çmimit të dhjetë milionë litrave të importuara, të cilit i shtohet marzha e fitimit e përcaktuar me rregullore.
“Çmimi i naftës në Kosovë përcaktohet sipas rregullores që kemi në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit. Ai bazohet në çmimin mesatar të dhjetë milionë litrave të importuara dhe më pas i shtohet marzha e fitimit për operatorët. Krahasimi i çmimit në bursat ndërkombëtare me atë në Kosovë nga njëra ditë në tjetrën nuk është i drejtë, sepse porositë dhe dërgesat bëhen disa ditë më herët. Derivatet që vijnë kryesisht përmes portit të Durrësit janë blerë dhe negociuar paraprakisht, ndaj edhe u duhet kohë derisa të arrijnë në tregun tonë.”
Kusari tha se ministria ka ndërmarrë masat e vetme që i lejon baza ligjore për të parandaluar abuzimin me çmimet, teksa shtoi se operatorët ekonomikë vazhdojnë të kërkojnë heqjen e kufizimit të marzhës së fitimit.
