Nutricionistja e njohur Diola Dosti, ka emocionuar ndjekësit e saj me një rrëfim prekës në Instagram, duke ndarë kujtime personale nga koha e luftës në Kosovë.
Në një postim të gjatë, ajo tregoi se si familja e saj në Shqipëri hapi zemrën dhe dyert për një familje kosovare që ishte detyruar të largohej nga shtëpia e vet gjatë luftës Kosovë–Serbi në vitin 1999.
“Ishte viti 1999, kur zemra dhe dyert e familjes time, në vendlindjen time në Shqipëri, u hapën për këtë familje shqiptare nga Kosova, në kohën e luftës Kosovë–Serbi. Një familje e madhe që u bënë familja jonë!”, shkruan Diola.
Ajo kujton me nostalgji se si zonja e shtëpisë, e cila tashmë nuk jeton më, i kishte lënë një kujtim të pashlyeshëm me gatimet tradicionale kosovare.
“Më kujtohet që kur provova bukën që gatuante, më bëri të doja një herë e përgjithmonë gatimet e Kosovës, ato kiflet, pitet e specat me mazë!” – rrëfen Diola.
Në postimin e saj, Diola ndalet edhe tek miqësia e ngushtë me Mirlinda Berishën, vajzën e familjes kosovare, që ajo e konsideronte si motrën që i mungonte.
“Vizatonim bashkë, sidomos Sailor Moon, dilnim shëtitje pasdite, bënim xhiro me biçikletë dhe unë isha shumë e lumtur që më fund kisha motrën e munguar pranë meje!”, kujton ajo me emocion.