Ndarja e parakohshme nga jeta e Shpat Kasapit, pos familjes e pikëlloi secilin që atë e njihte, si në rrafshin personal ashtu edhe në atë professional.
Tashmë u bënë më shumë se një javë që kur i njëjti humbi jetën por familja vazhdon t’a mbajë dhimbjen si ditën e parë.
Të njëjtit, së fundi kanë dalë me një reagim publik pas humbjes së parakohshme të këngëtarit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ata falenderuan miqtë, kolegët dhe publikun për ngushëllimet dhe mbështetjen që u dhanë gjatë kësaj periudhe të vështirë.
“Falë jush, kujtimi i Shpatit u nderua ashtu siç e meritonte, me dashuri dhe me mirënjohje”, shkruajnë ata, ndërsa shtojnë se ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe jo vetëm për familjen e këngëtarit, por për të gjithë komunitetin artistik shqipfolës dhe për të gjithë ata që e deshën artin dhe muzikën e tij.
“Ikja e tij në amshim është një humbje e madhe, jo vetëm për ne si familje, por për gjithë komunitetin artistik shqipfolës dhe për të gjithë ata që e deshën artin dhe muzikën e tij. Jeta është e tillë — jetojmë sot, por nesër mund të ikim — dhe pikërisht për këtë arsye, kujtimet e bukura mbeten pasuri e përjetshme”, shtuan ata mes tjerash.
Kujtojmë se Shpat Kasapi ndërroi jetë pas një sulmi në zemër, duke lënë pas familjen e tij, përfshirë djalin trevjeçar nga martesa e tij me Selvije Jaon.
