Stadthalle në Austri do të jetë skena ku do të zhvillohet Finalja e Madhe e Eurovision Song Contest 2026. Mes 25 shteteve pjesëmarrëse që garojnë për trofeun e lakmuar, Shqipëria do të ngjitet e pesta në renditjen e performancave.
Përfaqësuesi i Shqipërisë, Alis Kallaçi, me këngën e tij “Nân”, pritet të sjellë një performancë vokale të fuqishme, pas paraqitjes së tij të suksesshme në gjysmëfinalen e dytë. Në orët e fundit, kënga “Nân” është renditur ndër më të klikuarat, duke rritur edhe më tej pritshmëritë për një rezultat të lartë.
Gara e mbrëmjes do të hapet nga Danimarka, ndërsa më pas do të vijojë me Gjermaninë, Izraelin dhe Belgjikën, përpara se skena t’i kalojë Shqipërisë.
Si ta mbështesim Shqipërinë
Për të arritur një rezultat sa më të mirë, mbështetja e diasporës është thelbësore. Sipas rregullores së festivalit, publiku nuk mund të votojë për përfaqësuesin e vendit të vet nga territori i tij.
Më poshtë janë rregullat dhe udhëzimet kryesore për votim me kodin 05:
Koha e votimit
Dritarja e votimit do të hapet pak para se të interpretohet kënga e parë dhe do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë performancave. Votimi do të mbyllet plot 40 minuta pas prezantimit të këngës së fundit konkurruese.
Kufiri i votave
Mund të votoni deri në 10 herë nga i njëjti numër.
Votimi nga shtetet pjesëmarrëse
Mbështetësit e Alisit që ndodhen në një nga 35 shtetet pjesëmarrëse të këtij edicioni mund të votojnë përmes telefonit, SMS-së, ose platformës zyrtare esc.vote. Udhëzimet specifike dhe numrat e telefonit do të shfaqen në ekranet e transmetuesve lokalë.
Votimi nga shtetet e tjera
Publiku nga shtetet jo-pjesëmarrëse mund të votojë online në esc.vote. Votimi hapet në mesnatë (ora CEST), mbyllet përkohësisht para fillimit të spektaklit dhe rihapet gjatë shfaqjes live. Votat e “Rest of the World” llogariten si një grup i vetëm pikësh, me peshë të barabartë me një shtet garues.
Renditja e shteteve në natën finale:
01. Danimarkë: Søren Torpegaard Lund – Før Vi Går Hjem
02. Gjermani: Sarah Engels – Fire
03. Izrael: Noam Bettan – Michelle
04. Belgjikë: ESSYLA – Dancing on the Ice
05. Shqipëri: Alis – Nân
