Sara Hoxha po bën një tjetër hap të rëndësishëm në televizion, këtë herë jo si konkurrente apo pjesë e jurisë, por në rolin e drejtueses. Nga e diela, 20 shtator, influencerja do të jetë në krye të rubrikës së re “Me Gjithë Zemër”, pjesë e programit “E Diell” në Top Channel.
Ky nuk është kontakti i parë i Sarës me ekranin. Në sezonin 2022–2023 ajo ishte një nga konkurrentet e “Dancing With The Stars” dhe në fund u shpall fituese e spektaklit së bashku me balerinin Luixhino Hala. Pak muaj më vonë, Sara iu bashkua pikërisht “E Diell” si anëtare e jurisë së rubrikës “She’s On Top”, përkrah Dea Mishel dhe Krist Aliaj.
Eksperiencave të saj në ekran iu shtua edhe aktrimi. Në vitin 2023, ajo ishte pjesë e kastit të filmit “Në Kuadër të Dashurisë”, ku interpretoi personazhin e Arias.
Tashmë, rikthimi në “E Diell” e vendos për herë të parë në një pozicion tjetër: me një rubrikë të cilën do ta drejtojë vetë.

