Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka zbuluar një detaj gazmor nga fillimet e karrierës së saj gjatë një interviste për BBC Radio 2. Artistja foli për këngën e saj më të fundit, “All Natural”, e cila është pritur ngrohtë nga publiku, dhe tregoi gjëra interesante nga vitet e para të famës.
Gazetari e pyeti nëse është e vërtetë që në periudha me shumë angazhime, Rita kishte përdorur motrën e saj, Elena, si “doppelganger” për të dhënë disa intervista në telefon. Zërat e tyre janë pothuajse identikë, gjë që e bëri këtë strategji të mundshme.
Me të qeshur, Rita pranoi historinë: “Po, është e vërtetë. Elena është motra ime, e njeh mirë çdo detaj për mua, kështu që i thoja: ‘Hajde, bëje një telefonatë për Zelandën e Re, unë po bëj një tjetër për Australinë!’ Dhe ajo thoshte: ‘Përshëndetje, jam Rita Ora!’”
