Këngëtarja e njohur Arta Bajrami ka publikuar sot një letër të hapur drejtuar Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani, ku ngre alarmin për gjendjen e rëndë të fëmijëve me nevoja të veçanta në Kosovë dhe mungesën totale të përkujdesjes institucionale.
Në letrën e saj emocionale, Bajrami flet jo si artiste, por si nënë e dy fëmijëve me autizëm, duke shprehur zhgënjimin dhe indinjatën ndaj krizës politike që ka bllokuar të gjitha proceset shtetërore që prekin jetën e mijëra familjeve.
“Unë nuk po ju lutem, po ju kërkoj – me të drejtën që ma jep statusi i qytetares dhe i një nëne – të veproni menjëherë,” shkruan ajo.
I plotë:
Letër e Hapur drejtuar Kryeministrit dhe Presidentes së Republikës së Kosovës
Prishtinë, [21.08.2025] I nderuar Kryeministër Albin Kurti
E nderuara Presidente Vjosa Osmani
Unë jam Arta Bajrami, këngëtare e njohur, por mbi të gjitha nënë e dy fëmijëve me autizëm. Sot nuk po ju shkruaj si artiste, por si një nënë që çdo ditë lufton me sfidat që sjell mungesa e përkujdesjes institucionale për fëmijët me nevoja të veçanta në Kosovë.
1. Ngërçi politik – shteti në kolaps
Që nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Kosova është futur në një ngërç politik të turpshëm. Kuvendi ka dështuar mbi 50 herë të zgjedhë një kryetar, Qeveria nuk është formuar, dhe jeta e qytetarëve është lënë peng i pazareve politike. Kjo krizë ka paralizuar çdo proces shtetëror – nga buxheti i institucioneve, deri te projektet sociale që prekin jetën e mijëra familjeve.
2. Ligji për fëmijët me nevoja të veçanta – padrejtësi e vazhdueshme
Edhe pse ka vite që flitet për ligjin për fëmijët me aftësi të kufizuara, ai ende nuk është miratuar. Ndërkohë, rreth 38 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara janë jashtë sistemit arsimor, dhe familjet e tyre nuk marrin as mbështetje minimale. Ju e dini se çdo ditë vonesë është një dëm i pariparueshëm për zhvillimin e këtyre fëmijëve. A ka më turp se një shtet që i kthen shpinën më të pambrojturve?