Një nga miqtë më të ngushtë të këngëtarit Shpat Kasapi ka ndarë sot momentet e fundit me të para se i ndjeri të largohej drejt Italisë.
Në një lidhje live në ‘Breaking’ në Top News, Meti Myrtezani ka treguar se e ka përcjellë Shpatin për në aeroport dhe më pas ka folur me të edhe disa herë të tjera gjatë ditës së djeshme, deri në telefonatën e fundit që ai i kishte bërë rreth orës 22:00 por që këngëtari nuk kishte mundur t’i përgjigjej.
“Kur e kam marrë nga shtëpia për në aeroport kemi biseduar për punë familjare, shkonte në Itali për djalin, vetë nuk ka pasur probleme shëndetësore. Biseda e fundit ka qenë dje në orën 20:00.
Më tha, vëllai jem jam me grip, jam ftohur. Sa mbarova punë me djalin. Të premten më tha të shkoja në aeroport. E kam marrë nga ora 22:00 se ma ndjeu zemra por nuk ma hapi. Më mori kunati vet nga ora 1 dhe më tregoi. Tani jam rrugës për në Itali se nuk mund ta besoj akoma. Edhe kur ka firmosur për në Big Brother kemi qenë bashkë në Top Channel” , tha Meti.
Miku i tij i ngushtë ka treguar edhe momentin e vështirë kur i është dashur që lajmin ta ndajë edhe me familjarët e Shpatit, duke u shpreh se e kishte të pamundur dhe nuk e përballonte dot përgjegjësinë që kishte.
“Kam qenë në mëngjes për t’i treguar mamit të vet. Nuk dija si t’ia thoja, se përballoja dot. I kam tregu motrës së vetë por nuk ndenja dot më pastaj”, u shpreh miku i tij, Meti Myrtezani.