Deklaratat e reperit Nichi për periudhën kur ishte nën menaxhimin e Bini Diez kanë marrë përgjigje nga ky i fundit, i cili ka reaguar publikisht përmes një njoftimi të publikuar nga DIEZ Production.
Gjatë një bisede me Vjollca Haxhiun në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 5, Nichi tregoi se në fillim paguhej vetëm 20 euro në javë dhe se kishte pasur vështirësi të mëdha financiare.
Ai madje rrëfeu se, në disa raste, i kishte dërguar ish-menaxherit fotografi të frigoriferit të zbrazët për t'i treguar gjendjen në të cilën ndodhej.
Reperi pretendoi gjithashtu se nuk ishte lejuar të punonte në vende të tjera për të siguruar të ardhura shtesë.
Pas këtyre deklaratave, Bini Diez ka paraqitur versionin e tij të ngjarjeve, duke thënë se kishte investuar më shumë se 60 mijë euro në zhvillimin e karrierës së Nichit brenda një viti.
Sipas tij, marrëveshja mes tyre ishte e bazuar në ndarjen e fitimeve nga projektet muzikore, por kompania nuk kishte përfituar të ardhura nga bashkëpunimi.




