Një deklaratë e bujshme e këngëtarit G Bani në TikTok, ku ndër të tjera tha se “po të dija që janë kaq racistë ndaj meje, nuk do të më ndjente as në ‘99-ën”, ka shkaktuar reagim të menjëhershëm nga organizatorët e festivalit “Muaji i Mërgatës” në Drenas, të cilët vendosën ta anulojnë performancën e tij të planifikuar për mbrëmjen e nesërme.
Në një njoftim zyrtar, organizatorët e quajtën gjuhën e përdorur nga artisti si “të papranueshme, fyese dhe pa etikë”, duke theksuar se festivali nuk mund të tolerojë sjellje të tilla në asnjë formë.
“Si organizatorë të këtij festivali e konsiderojmë të papranueshme gjuhën fyese dhe mungesën e etikës në komunikim. Ky festival tashmë gëzon reputacion të lartë dhe nuk mund të jetë platformë për artistë që shfaqin qëndrime denigruese ndaj qytetarëve tanë” – thuhet në reagim.
Ata shtuan se “Muaji i Mërgatës” është një ngjarje që bashkon shqiptarët nga të gjitha anët e botës me respekt, dinjitet dhe dashuri për kulturën, dhe se çdo artist që cenon këto vlera nuk ka vend në këtë hapësirë publike.
