Organizatorët e Eurovisionit kanë ndryshuar rregullat, sipas të cilave vendi fitues mund të humbasë të drejtën për të organizuar konkursin nëse është i përfshirë në një konflikt të armatosur ose në një krizë të rëndë gjeopolitike.
Ndryshimet u bënë pas bisedimeve me vendet pjesëmarrëse pas Eurovisionit 2026 në Vjenë, raporton BBC, transmeton Indeksonline.
Sipas rregullave të reja, vendi fitues mund të mos ketë mundësi të jetë nikoqir nëse një “situatë e ndjeshme gjeopolitike” ndikon në sigurinë ose stabilitetin e vendit apo të rajonit të tij të afërt.
Ky ndryshim vjen pas disa vitesh debatesh mbi ndikimin e konflikteve ndërkombëtare në Eurovision, veçanërisht në lidhje me pjesëmarrjen e Izraelit dhe luftën në Ukrainë.
Pjesëmarrja e Izraelit vitet e fundit ka shkaktuar shumë debate dhe protesta për shkak të luftës në Gaza. Në nëntor të vitit të kaluar, pas një përpjekjeje të pasuksesshme për pezullimin e Izraelit nga konkursi, pesë televizione publike njoftuan bojkotimin e Eurovisionit, mes tyre edhe ato të Spanjës dhe Irlandës.
Përfaqësuesi i Izraelit, Noam Bettan, në Eurovision 2026 përfundoi në vendin e dytë me këngën “Michelle”. Ky ishte viti i dytë radhazi që Izraeli përfundonte në vendin e dytë. BBC raporton se disa transmetues kishin shprehur jozyrtarisht shqetësime për probleme të mundshme të sigurisë në rast se Izraeli do të fitonte dhe konkursi do të duhej të zhvillohej në Jerusalem ose Tel Aviv.
Rregullat e reja mund të zbatohen edhe për Ukrainën, e cila është në luftë që nga pushtimi rus në vitin 2022. Kalush Orchestra nga Ukraina fitoi Eurovisionin atë vit, pas së cilës EBU-ja vlerësoi nëse konkursi i vitit 2023 mund të zhvillohej në mënyrë të sigurt në Ukrainë.
U arrit në përfundimin se rreziqet e sigurisë ishin tepër të mëdha, kështu që organizimin e mori përsipër Mbretëria e Bashkuar, ndërsa konkursi u zhvillua në Liverpool.