Gjykata Themelore Penale në Shkup njoftoi të premten se është konfirmuar aktakuza kundër 34 personave dhe tri kompanive të dyshuar për zjarrin që la dhjetëra të vdekur në një klube nate në Koçan të Maqedonisë së Veriut në vitin 2023.
Në mesin e të akuzuarve janë ish-ministra të ekonomisë dhe drejtorë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DZS), ish-kryetarë të bashkisë së Koçanit, inspektorë, si dhe persona përgjegjës në kompanitë që menaxhonin klubin e natës.
Zjarri që shpërtheu në klubin Pulse natën mes 15 dhe 16 marsit vrau 62 njerëz dhe plagosi më shumë se 200 të tjerë.
Gjykata nuk ka treguar se kur do të fillojë gjykimi për këtë rast.
Të gjithë të akuzuarit ngarkohen me veprën penale: shkaktim i veprave të rrezikshme kundër sigurisë publike.
Aktakuza u ngrit më 13 qershor dhe vlerësimi zgjati tre muaj e gjysmë.
Gjykatës Supreme tha se rastin ia ka caktuar Gjykatës Themelore Penale në Shkup, sepse gjykatat në Shtip dhe Strumicë nuk kanë numër të mjaftueshëm gjyqtarësh për procesin penal.
Supremja vlerëson se çështja duhet të trajtohet nga “gjyqtarë me përvojë dhe njohuri të fituara në çështjet penale, të cilët do të mundësojnë procedura efikase, profesionale dhe të ligjshme, dhe në të njëjtën kohë do të kontribuojnë në rritjen e ndërgjegjësimit publik”.
Tragjedia në Koçan ndodhi gjatë një shfaqjeje nga grupi muzikor DNK, kur shkëndijat nga mjetet piroteknike ia vunë zjarrin tavanit të diskotekës, duke bërë që flakët të përhapeshin me shpejtësi dhe paniku dhe dalja e ngushtë nga ndërtesa shkaktuan rrëmujë të madhe.
Sipas aktakuzës, objekti nuk i plotësonte kërkesat minimale teknike për kryerjen e aktiviteteve mikpritëse, nuk kishte leje rindërtimi, raporte bazë të projektimit dhe rindërtimit, e as një raport të posaçëm për mbrojtjen nga zjarri, shpërthimet dhe materialet e rrezikshme, as një plan dhe vlerësim për mbrojtje dhe shpëtim.
