Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur sot se gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 23 vatra zjarri në Shqipëri. Nga këto, 16 janë shuar, 4 mbeten ende aktive, ndërsa 3 të tjera janë nën monitorim.
“Falë ndërhyrjes së strukturave zjarrfikëse, Forcave të Armatosura dhe autoriteteve vendore, 16 vatra janë izoluar dhe shuar plotësisht,” thuhet në njoftimin e Ministrisë. Më tej, theksohet se puna në terren vijon në zonat ku zjarret ende nuk janë neutralizuar.
Sipas raportit zyrtar, zjarret e shuara janë në Gramsh, Vlorë, Skrapar, Përmet, Durrës, Krujë, Memaliaj, Shkodër, Patos, Delvinë dhe Elbasan. Ndërkohë, situata paraqitet më problematike në disa bashki të veriut dhe juglindjes së vendit.
“Në Fushë-Arrëz, vatrat e zjarrit në fshatrat Xeth, Kolumri dhe Trun vijojnë të jenë jashtë kontrollit për shkak të terrenit të thyer. Në terren janë angazhuar strukturat vendore dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura me një mjet zjarrfikës,” sqaron Ministria e Mbrojtjes.