Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka kritikuar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me kërkesat për përgjegjësi politike për rastin e ndërrimit të foshnjave.
Në një postim të shpërndarë në rrjetet sociale, Zemaj ka përmendur edhe raste të tjera, për të cilat ka thënë se ministri Vitia nuk ka dhënë përgjegjësi politike.
“Arben Vitia nuk të ka dhanë përgjegjësi politike për rastin e foshnjës së futur në lavatriçe e as për vrasjen e gruas para Klinikës së Gjinekologjisë, e po të japë përgjegjësi për rastin e ndërrimit të foshnjave!!”, ka shkruar Zemaj.
Ai ka kritikuar edhe ata që, sipas tij, po përpiqen ta kufizojnë përgjegjësinë vetëm te Inspektorati Shëndetësor, duke mos e përfshirë ministrin si drejtues të institucionit.
“I ‘kuptoj’ disa që përpiqen ta ndalin përgjegjësinë vetëm te Inspektorati Shëndetësor, duke harruar ‘pa qëllim’ se edhe ky institucion ka eprorin e vet: Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia”, ka deklaruar Zemaj.

