Gjatë bisedimeve në Majami për fundin e luftës në Ukrainë, sipas të dhënave ukrainase, SHBA-ja ka propozuar një format të ri bisedimesh. Ushingtoni synon të ulë në një tryezë përfaqësues nga Kievi dhe Moska.
Për herë të parë që prej gjashtë muajsh sërish mund të ketë bisedime direkte ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë për një armëpushim të mundshëm në luftën e agresionit rus ndaj Ukrainës. “SHBA propozon një takim trilateral të këshilltarëve sigurisë kombëtare: Amerikë, Ukrainë, Rusi”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski në Kiev.
Ai vuri kushte për bisedimet direkte me përfaqësuesit e Moskës. “Nëse mund të zhvillohet një takim i tillë, për të shkëmbyer të burgosurit ose për mundësuar një marrëveshje lidhur me takimin tripalësh të kryetarëve të shteteve dhe qeverive, ne do t’i mbështesim këto propozime”, tha Zelenski. “Të shohim si do të zhvillohen gjërat.”
Bisedimet në Majami
Të premten (19.12.2025) në Majami në shteti federal të Floridës në SHBA kanë filluar bisedime ndërmjet përfaqësuesve të SHBA-së, Ukrainës dhe Europës. Pjesëmarrës janë kryenegociatori ukrainas Rustem Umerov dhe shefi i shtabit të përgjithshëm Andrij Hnatov, i dërguari i posaçëm i SHBA-së Steven Witkoff dhe Jared Kushner si dhe përfaqësues të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe. Për Gjermaninë është në bisedime këshilltari i kancelarit për politikën e jashtme, Günter Sautter.
