Sot në komunën e Prishtinës, është zbuluar murali “Çast’, i cili u dedikohet të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë .
Të pranishëm në këtë ceremoni ndër tjerë ishin edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, si dhe ish-presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, pasi ky aktivitet u organizua nga Fondacioni Jahjaga në mbështetje të kryeqytetit.
Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se mural simbolizon respektin dhe kujtesën për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale.
“Ky mural këtu, që është i vendosur në zemër të Prishtinës, është një akt i kujtesës dhe i respektit për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ky mural është nderim për çdo grua dhe burrë që mbijetoi këtë krim të tmerrshëm të luftës. E përgëzoj edhe një herë presidenten Jahjaga për këtë iniciativë, për të cilën jam shumë i lumtur që ne si kryeqytet kemi pasur mundësi që sado pak ta mbështesim dhe t’i japim hapësirë kësaj pjese të historisë sonë të përbashkët, deklaroi Rama
Ish-presidentja, Atifete Jahjaga tha se ky muaj shërben për të kujtuar dhe nderuar sakrificën e secilit qytetar që ka dhënë kontribut për vendin tonë, teksa shtoi se kësaj vepre duhet kushtuar kohë për të kujtuar të mbijetuarit e dhunës seksuale.
“Kjo nuk është vetëm një vepër e artit, por gjithsecili qytetar i Prishtinës, secili vizitor, secili turist, secili njeri i cili do të kalojë në këtë rrugë, apo në rrugët e qyteteve të tjera të Kosovës, do t’ia kushtojë një minutë për të menduar, për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Dhe kjo është lutja e ime për të gjithë qytetarët e Kosovës, por edhe ata që vizitojnë Kosovën, që t’ia kushtojnë një minutë që të vendosin veten në mendjen dhe në shpirtin e të mbijetuarve”, tha ajo.