Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 35 ish-zyrtarëve dhe komandantëve të lartë serbë, të cilët akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë sulmit të 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në lagjen e Jasharëve në Prekaz të Skenderajt.
Aktakuza, e datës 4 shtator 2026 dhe i ngarkon të pandehurit me përgjegjësi për planifikimin, organizimin, koordinimin dhe drejtimin e një operacioni ushtarako-policor që, sipas Prokurorisë, rezultoi me vrasjen e civilëve, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar, marrjen peng dhe torturimin e tyre, si dhe shkatërrimin e infrastrukturës civile në lagjen e Jasharëve.
Sipas aktakuzës të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, aktakuza është ndër dokumentet më të detajuara lidhur me ngjarjet e marsit 1998 dhe mbështetet në prova materiale e personale të mbledhura gjatë viteve të hetimeve.
Sipas aktakuzës, operacioni ishte planifikuar paraprakisht
Sipas aktakuzës, sulmi nuk ishte rezultat i një përleshjeje të rastësishme, por pjesë e një operacioni të planifikuar për disa muaj.
Që nga fillimi i vitit 1998, lagjja Jasharaj ishte vënë nën vëzhgim të vazhdueshëm. Sipas dokumentit, kamerat e vendosura në rezervuarin e ujit të Fabrikës së Municionit në Skenderaj, një strukturë rreth 50 metra e lartë, regjistronin lëvizjet në zonë 24 orë në ditë.
Vëzhgimin, sipas aktakuzës, e udhëhiqte Njësia për Operacione Speciale, e komanduar nga Milorad Ulemek, i njohur me nofkën “Legia”, i cili ishte personalisht i pranishëm në kompleksin e fabrikës. Në këtë monitorim, sipas dokumentit, ishte përfshirë edhe Kompania e Mitrovicës e Njësisë së Posaçme të Policisë, e udhëhequr nga Čedomir Božović.
Më 3 dhe 4 mars 1998, sipas aktakuzës, u intensifikua dislokimi i forcave dhe armatimit të rëndë.
Në Fabrikën e Municionit u sollën automjete të blinduara të pajisura me mitraloza të tipit Browning, HBG dhe DSHK, tanke, minahedhës të kalibrave 60 deri në 106 milimetra, armë kundërajrore, mjete luftarake tre-tytëshe dhe dy-tytëshe të kalibrit 20 milimetra, si dhe armatim tjetër i transportuar nga Mitrovica.
Brenda kompleksit të fabrikës u formua edhe Shtabi Operativ, në një ndërtesë të quajtur “Villa” nga të pandehurit. Sipas aktakuzës, shtabi udhëhiqej nga Goran Radosavljević, i njohur me nofkën “Guri”.
Në të bënin pjesë edhe Živko Trajković, komandant i të gjitha Njësive Speciale Antiterroriste, Zoran Simović, komandant i njësisë së Beogradit, Branko Čurčić, komandant i njësisë së Novi Sadit, dhe Radislav Stalević, komandant i njësisë së Prishtinës.
Sipas dëshmisë së mbrojtur “D5”, e cila zë vend qendror në aktakuzë, Njësia për Operacione Speciale e komanduar nga “Legia” kishte marrë detyrën e sulmit ndaj shtëpive të familjes së Shaban Jasharit.
Njësia e Novi Sadit ishte caktuar në pozicionin e njohur si “Bunkeri”, ndërsa njësitë e Beogradit dhe Prishtinës kishin marrë përsipër pjesën tjetër të lagjes, duke filluar nga rruga që vinte nga Skenderaj.
Ndërkohë, detashmentet dhe kompanitë e Njësisë së Posaçme të Policisë nga Uzhica, Nishi, Leskovci, Vranja, Mitrovica, Skenderaj, Leposaviqi, Zubin-Potoku, Vushtrria, Ferizaj, Gjakova, Peja, Prishtina dhe Prizreni formuan atë që në dokument quhet “rrethimi i hekurt”, me qëllim që të pamundësohej hyrja ose dalja nga fshati.
Mbi këtë strukturë, sipas aktakuzës, qëndronin dy shtabe më të larta: Shtabi Ndërsektorial i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i udhëhequr nga Jovica Stanišić dhe zëvendësi i tij Vlastimir Đorđević, si dhe Shtabi për Kosovën, i themeluar në vitin 1997 dhe i udhëhequr gjatë operacionit nga Sreten Lukić.
Sipas Prokurorisë, këto dy struktura bashkërendonin miratimin e armatimit, dhënien e urdhrave dhe pranimin e raporteve nga terreni.
Sulmi dhe vrasja e civilëve
Sipas aktakuzës, sulmi nisi më 5 mars 1998, rreth orës 06:00, pa paralajmërim.
Forcat serbe hapën zjarr me artileri të rëndë, tanke dhe mjete të blinduara nga drejtimi i Fabrikës së Municionit dhe nga pozicionet e tjera të rrethimit.
Prokuroria pretendon se forcat serbe ishin të vetëdijshme për praninë e një numri të madh civilësh, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, por nuk bënë dallim mes objektivave ushtarake dhe objekteve civile.
Në ditën e parë, sipas aktakuzës, u goditën shtëpitë e Halit Jasharit dhe Hamit Jasharit.
Në kuzhinën e shtëpisë së Halit Jasharit u vranë tetë persona, mes tyre fëmijët Blerim Jashari, 5 vjeç, Bujar Jashari, 10 vjeç, Avdullah Jashari, 15 vjeç, si dhe Hanife Jashari, 17 vjeçe.
Në shtëpinë e Hamit Jasharit u vranë Smajl Bazaj dhe Fatime Bazaj, të cilët, sipas aktakuzës, ishin mysafirë.
Në ditët në vijim, sipas dokumentit, u vranë edhe Hamide Jashari, Afie Jashari, Elfie Jashari, Fatime Jashari, Hajrije Jashari dhe anëtarë të tjerë të familjes.
Në ditën e tretë të sulmit, më 7 mars, sipas aktakuzës, tanket qëlluan me predha drejt dhomës ku ishin strehuar anëtarët e familjes së Shaban Jasharit.
Nga goditja e parë, sipas dokumentit, u vranë Igballe Jashari, 12 vjeçe, Valdete Jashari, 14 vjeçe, Igball Jashari, 14 vjeç, Lirije Jashari, 14 vjeçe, Afete Jashari, 17 vjeçe dhe Selvete Jashari.
Goditja e dytë, sipas aktakuzës, vrau Fatime Jasharin, 8 vjeçe, dhe Blerim Jasharin, 12 vjeç, të cilët ishin plagosur më herët.
Më pas, sipas Prokurorisë, dy pjesëtarë të forcave speciale iu afruan dhomës, hodhën granata dore dhe hapën zjarr me armë automatike.
Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës, u vranë Blerina Jashari, 7 vjeçe, Kushtrim Jashari, 13 vjeç, dhe Hidajete Jashari.
Besarta Jashari, sipas dokumentit, ishte e vetmja e mbijetuar në atë pjesë të shtëpisë. Ajo u kap dhe u mbajt e mbyllur deri në mbrëmje në kompleksin e fabrikës.
Sipas dokumentit, raportet e autopsisë, të kryera në vitin 2002 dhe më vonë, tregojnë dëmtime të rënda nga predhat dhe shpërthimet. Gjendja e trupave, sipas aktakuzës, dokumentohet edhe përmes një fotoalbumi të përpiluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda.
Civilët u morën peng dhe u torturuan





