Në orët e pasdites së sotme, në Stacionin Policor në Vushtrri është raportuar një rast i vjedhjes në një market, ku disa persona të dyshuar kanë vjedhur një shumë parash dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes me motoçikleta.
Si rezultat i veprimeve të shpejta operative dhe hetimore të ndërmarra nga Policia, është arritur që në dy lokacione të ndryshme të arrestohen katër të dyshuarit, të cilët me dy motoçikleta ishin larguar nga vendi i ngjarjes.
“Dy nga të dyshuarit të cilët ndodheshin në njërën nga motoçikletat janë ndaluar në fshatin Pestovë, ndërsa motoçikleta tjetër, me dy persona të tjerë të dyshuar, në koordinim me njësitet policore të Stacionit Policor në Obiliq, është ndaluar në fshatin Gracë të Vushtrrisë”.
“Rrjedha e hetimeve ka rezultuar se katër të dyshuarit, të gjithë të moshës së mitur, brenda një periudhe të shkurtër kohore dyshohet se kanë kryer disa veprime të kundërligjshme. Fillimisht në Vushtrri, kishin vjedhur një motoçikletë, më pas kishin tentuar të kryenin vjedhje në një market, ndërsa rreth orës 16:00, në një market tjetër, kishin vjedhur një shumë parash dhe ishin larguar nga vendi i ngjarjes”, u tha në njoftimin e Policisë.




