Si një nga të paktët liderë shtetërorë në botë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mban kontakte si me diktatorin rus Vladimir Putin, ashtu edhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Pas vizitës së parë të Zelenskyt në kryeqytetin serb, Beograd, Vuçiqi është shprehur i shqetësuar se Evropa mund të jetë në prag të një lufte edhe më të madhe.
“Besoj se jemi në fillim të një lufte më të madhe. Dhe për këtë arsye shpresoja që deri tani dikush tjetër të kishte bërë diçka për të vendosur paqen. Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë as së shpejti, që do të thotë se jemi në prag të një lufte shumë, shumë më të madhe”, ka thënë Vuçiqi në podcastin “MD MEETS”, të drejtuar nga Mathias Döpfner, kryetar i bordit drejtues të grupit medial me bazë në Gjermani “Axel Springer”.
Me pritjen e presidentit ukrainas, Vuçiqi ka befasuar komunitetin ndërkombëtar dhe ka shkaktuar kritika të ashpra në Serbi, e cila tradicionalisht ka qëndrim pro-rus, por edhe në Rusi. Propagandistët rusë e kanë akuzuar presidentin serb se po tradhtonte partneritetin me Rusinë dhe se po e ndihmonte Ukrainën në luftën kundër Rusisë përmes marrëveshjeve ekonomike. Zyrtarët qeveritarë ukrainas kanë deklaruar ndërkaq se vizita ishte një përpjekje për të krijuar përçarje mes Rusisë dhe Serbisë, dhe se ishte një “shuplakë në fytyrë për rusët”.
“Unë nuk jam këtu për t’u bërë qejfin rusëve, ukrainasve apo kujtdo tjetër, përveç serbëve”, ka thënë Vuçiqi në bisedën me Döpfner.
Ai ka shtuar se nuk e kishte informuar paraprakisht udhëheqësin rus Putin për vizitën e Zelenskyt.
“Nuk kam folur me të, sepse nuk e njoftoj askënd paraprakisht për agjendën time politike, pasi Serbia nuk është kukull e asnjë vendi tjetër në botë”, ka thënë Vuçiqi.


