I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen tha të enjten se ka zhvilluar takime të mira në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryenegociatorin e Serbisë në dialog, Petar Petkoviq, për avancim të diskutimeve për çështjet kryesore të dialogut si dhe analizimin e përparimit në zbatimin të Ligjit për të Huajt.
“U pajtuam për nevojën që të jemi të angazhuar dhe të punojmë së bashku për të mirën e të gjithëve”, tha Sorensen përmes një postimi në X – dikur Twitter.
Presidenti Vuçiq tha më herët gjatë ditës se me Sorensenin diskutoi për çështjet që rëndojnë marrëdhëniet në rajon.
“Në fokus të bisedës ishte situata në ‘Kosovë dhe Metohi’, veçanërisht siguria e popullsisë serbe dhe pasiguria e madhe që ajo përjeton, për shkak të aplikimit selektiv të ligjeve dhe diskriminimit të dukshëm në shumë fusha të jetës”, shkroi Vuçiq në Facebook.
Ai tha se masat e njëanshme të Prishtinës dhe zbatimi i ligjeve pa marrëveshje në Bruksel, krijojnë presion serioz mbi popullin serb dhe “institucionet jetike serbe” në Kosovë.
Vuçiq, mësa duket, iu referua Ligjit për të huajt dhe atij për automjete, që nisën të zbatohen në Kosovë nga 15 marsi.
Vuçiq shtoi se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, si rruga e vetme e qëndrueshme për zgjidhjen e çështjeve të hapura.
Ai tha se ka kërkuar angazhimin konkret të aktorëve në Prishtinë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura, përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
