Të dyshuarit për vrasjen e policit belg Nordine El Talbi dyshohet se janë të përfshirë edhe në vrasjen e shqiptarit Redjan Z., i cili u qëllua për vdekje më 12 tetor pranë Parlamentit Evropian në Bruksel.
Sipas gazetës belge “De Standaard”, hetimet përmes kamerave të sigurisë kanë çuar në identifikimin e personave të dyshuar, të cilët janë arrestuar në Spanjë dhe Francë.
Sipas raportimit të mediave belge, shqiptari Redjan Z. u vra në orët e vona të pasdites së 12 tetorit, në rrugën Wiertz, në komunën Ixelles të Brukselit. Ai u qëllua me shtatë deri në tetë plumba, ndërsa autorët u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Vetëm disa orë më vonë, në komunën Jette, u vra edhe polici 41-vjeçar Nordine El Talbi, i cili ishte në krye të detyrës dhe po mbikëqyrte një automjet të parkuar në bulevardin Carton de Wiart.
Automjeti në fjalë ishte vjedhur më herët gjatë mbrëmjes, gjatë një grabitjeje me dhunë të një veture në Tubize.
Sipas gazetës “De Standaard”, hetuesit kanë analizuar pamjet e kamerave të sigurisë dhe kanë arritur të identifikojnë të dyshuarit, të cilët më pas janë arrestuar në dy shtete të ndryshme evropiane, Spanjë dhe Francë.
Megjithatë, Prokuroria e Brukselit nuk ka pranuar as t'i konfirmojë dhe as t'i mohojë këto informacione, duke argumentuar se nuk dëshiron të rrezikojë interesat e dy hetimeve.
Avokatja Ofelia Avagian, e cila përfaqëson familjen e shqiptarit të vrarë, ka shprehur pakënaqësi për mënyrën se si familja është informuar për zhvillimet e fundit.
