Më 22 mars 2026 do të organizohet edicioni i pestë i garës tradicionale përkujtimore “Vrapimi i Marsit” – Izbica 147, aktivitet që mbahet në nderim të 147 martirëve të Masakrës së Izbicës dhe dëshmorëve të Komunës së Skenderaj.
Kjo garë sportive tashmë është shndërruar në një aktivitet të rëndësishëm përkujtimor dhe sportiv, që bashkon vrapues nga mbarë Kosova, trojet shqiptare dhe diaspora.
Organizatorët kanë bërë të ditur se gara do të zhvillohet në dy disiplina: 10 kilometra dhe 21 kilometra, duke krijuar hapësirë pjesëmarrjeje si për vrapues elitarë, ashtu edhe për ata fillestar që duan të bëhen pjesë e këtij organizimi simbolik.
Nëpërmjet këtij aktiviteti synohet të përkujtohet sakrifica e martirëve të Masakrës së Izbicës, të promovohet sporti dhe vrapimi malor, si dhe të forcohet tradita e organizimeve sportive dhe përkujtimore në këtë zonë.
