Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka njoftuar se nga 33.841 pako të supozuara me fletëvotime nga jashtë, një pjesë e tyre janë sjellë në Kosovë dhe deri sot, nga pjesa e pakove me fletëvotime që janë pranuar, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 18.000, prej të cilave janë aprovuar më shumë se 15.600, ndërkaq janë refuzuar rreth 2.400.
Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi tha se deri në orën 16:00 janë verifikuar rezultatet për 1.133 vendvotime nga zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale nga 1.084 vendvotime.
“Sipas informacioneve nga Qendrat Komunale të Numërimit, deri në orën 16:00 të ditës së sotme, e mërkurë, janë verifikuar rezultatet për 1.133 vendvotime nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale nga 1.084 vendvotime. Nga po kaq vendvotime, 1,084, janë numëruar votat e kandidatëve nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale. Deri më tani, aktivitetet në QKN janë përmbyllur në 9 komuna: Hani i Elezit, Junik, Mamushë, Zveçan, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë. Kësaj liste pritet t’i shtohen edhe disa komuna tjera deri në përfundim të ditës së sotme. Komunat, në të cilat ka përfunduar procesi, kanë dorëzuar materialin zgjedhor në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, ka thënë Elezi.
Elezi ka bërë të ditur se ka filluar skanimi i listës së votuesve nga vendvotimet e rregullta nga disa prej komunave që tashmë kanë përfunduar punën QKN dhe që kanë dorëzuar materialin zgjedhor në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
“Skanimi i listës së votuesve që është përdorur në vendvotime është i domosdoshëm para se të fillohet me numërimin e votave nga vendvotimet me kusht, sepse i ndihmon KQZ-së të sigurohet se askush nuk ka votuar dy herë, në vendvotimin e rregullt dhe në vendvotimin me kusht. Numri i zarfeve me fletëvotime nga votimi me kusht i mundësuar në 54 vendvotime në 38 komuna është 2.119, ndërkaq, në programin e votimit përmes ekipeve mobile, numri i votuesve të regjistruar me nevoja të veçanta ishte 3.467”, tha Elezi.
