Një gjurmë ADN-je ishte ajo që “zhbllokoi” hetimet dhe çoi në identifikimin e autorëve të grabitjes së ndodhur në Muzeun e Luvrit, duke përfunduar me arrestimin e dy personave të shtunën në mbrëmje.
Sipas BFMTV, që citon një burim pranë hetimit, njëri nga të dyshuarit u identifikua falë një “gjurme vendimtare ADN-je” të gjetur në vendngjarje.
Që pas “grabitjes së shekullit”, policia mjeko-ligjore ka qenë në kërkim të çdo prove të mundshme. Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, deklaroi të enjten se nga vendi i ngjarjes janë mbledhur mbi 150 mostra ADN-je, gjurmë gishtash dhe elementë të tjerë provues.
Shefja e policisë mjeko-ligjore, Perrine Rogiez-Thubert, shpjegoi për BFMTV se hetuesit kanë punuar me gjurmë “të pasura”, si gjak, pështymë ose spermë, por edhe me gjurmë “të dobëta”, të lëna në objekte që autorët mund të kenë prekur.
Në vendngjarje janë gjetur disa sende që mund të përmbajnë ADN, si një helmetë, një radio dore, një jelek i verdhë dhe dy rrota prerëse metalesh. Pas mbledhjes, mostrat janë analizuar në laborator për të ndërtuar profilin gjenetik të personave të përfshirë.
