(Radio Evropa e Lirë) – “Ne jemi qenie sociale dhe kemi nevojë për socializim”.
Psikologia Shkurte Bajgora e përsërit këtë disa herë për ta theksuar rëndësinë e lidhjeve ndërnjerëzore për mirëqenien emocionale.
E angazhuar si psikologe tash e dhjetë vjet, ajo thotë se shpesh ka vërejtur se ndjenja e vetmisë te të rinjtë në Kosovë nuk lidhet domosdoshmërisht me mungesën e njerëzve rreth tyre.
“Në takimet e para, gjithmonë thonë ‘kam shumë shoqëri’, por kur e diskutojmë më thellë, ato lidhje janë zakonisht shumë sipërfaqësore”, thotë Bajgora, e cila është edhe asistente në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës.
Sipas një raporti të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, çdo i pesti adoleshent në botë ndihet i vetmuar – dukshëm më shumë sesa të moshuarit.
Në mesin e 44 vendeve të përfshira në raport, është vërejtur një rritje e ndjeshme e ndjenjës së vetmisë nga viti 2018 në vitin 2022, veçanërisht pas pandemisë COVID-19. Të dhënat tregojnë se vajzat janë më të prira të ndihen të vetmuara sesa djemtë.
Edhe pse mungojnë të dhëna specifike, Bajgora thotë se ky është një problem që është i dukshëm edhe në Kosovë.
Ajo thotë se periudha e adoleshencës është veçanërisht e ndjeshme dhe shumë të rinj kanë nevojë për një person që i dëgjon. Në mungesë të një lidhjeje të tillë, sipas saj, ndjenjat mbahen brenda dhe bëhen më të rënda për t’u përballuar.
“Është shumë në rregull të mos ndihesh mirë dhe hala më në rregull të kërkosh ndihmë”, thotë ajo, duke përmendur se stigmat për kërkimin e ndihmës psikologjike, janë ende të pranishme.
Bajgora është e angazhuar në platformën “Mbështetu”, një shërbim online për ndihmë psikologjike falas dhe anonime.
Platforma ka nisur gjatë pandemisë si linjë telefonike dhe tani funksionon përmes ueb-faqes shendetimendor.org.
“Tash po më bëhen dhjetë vjet e më shumë në fushën e psikologjisë dhe në fillim ka qenë ajo perspektiva që te psikologu shkon vetëm kush ka çrregullime. Automatikisht, stigmat i kanë bllokuar qytetarët të kërkojnë ndihmë”, thotë Bajgora.
Rrjetet sociale, sipas saj, e kanë përkeqësuar problemin e vetmisë. Ajo thotë se këto platforma mund të japin iluzionin e socializimit, por shpesh nuk arrijnë ta plotësojnë nevojën për lidhje emocionale të vërtetë.
Me të pajtohet edhe Bajram Ilazi, nga organizata Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve në Kosovë (VORAE).
“Unë jetoj në një fshat të Shtimes dhe e shoh që, tash, lagjet nuk janë më të mbushura me fëmijë që luajnë, siç kanë qenë më herët”, thotë Ilazi.
