Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka paralajmëruar protesta të mëdha dhe vazhdimin e aktiviteteve kundërshtuese në rast se ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë shpallen fajtorë.
Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, ka thënë se organizata pret kthimin e ish-krerëve të UÇK-së të pafajshëm në Kosovë, por, nuk do të rrijë duarkryq në rast se merret vendim dënues.
"Sido që të jetë ne nuk do të ndalemi asnjëherë duke protestuar e avokuar për të drejtat tona, që ne e kemi fituar në vitin 99, është e pakontestueshme, prandaj aktiviteti jonë nuk do ndalet asnjëherë, dëmi veçse është shkaktuar”, thotë ai për KosovaPress.
Syla shprehet i bindur se, nëse vendimi bazohet në prova, ish-krerët e UÇK-së do të shpallen të pafajshëm. Megjithatë, ai shpreh shqetësimin se mund të ketë ndikim politik në vendimmarrje.
“Ne si organizatë e veteranëve të luftës prej ditës që është pritur të themelohet kjo gjykatë, e kemi kuptuar që është gjykatë e padrejtë dhe presim që bashkëluftëtarët tonë të kthehen të pafajshëm në shtëpitë e tyre dhe në çoftë se ky vendim do bazohet në prova, jemi të bindur se do të shpallen të pafajshëm. Në çoftë se do të ketë ndikim politik mbi këtë vendim, sepse duke e parë mundin e kësaj gjykate, mendojmë që prej themelimit të saj, komplet gjykata devijon edhe nga misioni se për çka është themeluar. Është bazuar në raportin e Dick Martit, ky raport nuk është më pjesë e aktakuzës, prandaj në çoftë se mund të ketë ndikim politik, mund të ketë ndonjë vendim negativ dhe nuk është vetëm për ish krerët e UÇK-së, por për krejt sakrificën e popullit tonë”, thotë Syla.
Sipas tij, OVL-UÇK gjatë gjithë kohës ka ngritur shqetësime edhe para përfaqësuesve ndërkombëtarë lidhur me mënyrën e funksionimit të Gjykatës Speciale dhe, siç pretendon ai, shkeljen e të drejtave të të akuzuarve.


