Ndërmarrja Publike “Termokos” do të nisë furnizimin me ngrohje nga e mërkura, më 15 tetor, pasi janë përmbushur kushtet e nevojshme për fillimin e sezonit të ri ngrohës.
Këtë e ka konfirmuar Afërdita Uka-Fejzullahu, zyrtare për marrëdhënie me publikun në “Termokos”, e cila ka bërë të ditur se përgatitjet për sezonin e ri kanë përfunduar me sukses.
Sipas saj, Kryeshefi Ekzekutiv i ndërmarrjes, Bersant Beka, në bashkëpunim me menaxhmentin, ka konstatuar se janë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për fillimin e furnizimit me ngrohje, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe kalendarin e zakonshëm.
“Bazuar në të gjitha përgatitjet e realizuara me sukses të plotë, Kryeshefi Ekzekutiv i NP ‘Termokos’ SH.A., z. Bersant Beka, në bashkëpunimin me menaxhmentin e ndërmarrjes, ka konstatuar se janë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për fillimin e sezonit të ri ngrohës sipas legjislacionit në fuqi dhe kalendarit të zakonshëm nga data 15 tetor”, ka deklaruar Uka-Fejzullahu
Ajo ka bërë të ditur se aktualisht në rrjetin e ngrohjes janë të kyçur mbi 25 mijë konsumatorë, të cilët do të përfshihen në furnizimin me ngrohje gjatë sezonit të ri.
“Si rëndom, furnizimi me ngrohje do të fillojë dhe do të ofrohet për gjithë konsumatorët pa dallim”, ka theksuar ajo.
Megjithatë, konsumatorët nuk do ta marrin ngrohjen menjëherë me kapacitet të plotë. Nga “Termokos” kanë shpjeguar se furnizimi do të nisë gradualisht, për të garantuar sigurinë e pajisjeve dhe funksionimin e qëndrueshëm të sistemit.
“Për të garantuar sigurinë e pajisjeve dhe funksionimin e qëndrueshëm të sistemit, furnizimi me ngrohje do të nisë me kapacitet të kufizuar dhe do të rritet gradualisht, deri në stabilizimin e plotë të furnizimit për të gjithë konsumatorët”, ka deklaruar Uka-Fejzullahu.

