Nga Departamenti Amerikan i Shtetit kanë folur lidhur me vendimin për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën, shkaku i veprimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, duke thënë se shqetësimet e tyre ia kanë shprehur në vazhdimësi atij, përmes të ngarkuarës me punë, Anu Prattipati.
Të premten që shkoi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës morën vendimin për ta pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve për veprimet e qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë.
Lidhur me këtë vendim të Washingtonit zyrtar, nga Departamenti Amerikan i Shtetit kanë thënë se e Ngarkuara me Punë në Ambasadë, Anu Prattipati, ka zhvilluar takime në vazhdimësi me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe se të njëjtit Qeveria e SHBA-së përmes këtyre takimeve në mënyrë direkte ia ka shprehur shqetësimet amerikane.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit ka thënë për Express se SHBA do të jetë gjithmonë një aleat i ngushtë i popullit të Kosovës dhe se janë të përkushtuar plotësisht për këtë partneritet. Megjithatë ky zëdhënës i DASH nka thënë se SHBA kërkon nga partnerët e saj që të punojnë në mënyrë konstruktive për të siguruar stabilitet dhe siguri.
“Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithmonë një mik i ngushtë i popullit të Kosovës dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj partneritetit tonë. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara i nxisin partnerët tanë të punojnë në mënyrë konstruktive për të siguruar stabilitetin dhe sigurinë”, ka thënë ky zëdhënës i DASH.
Sa i përket Qeverisë në detyrë, nga Departamenti Amerikan i Shtetit kanë thënë se dëshirojnë që të lëvizin përpara, megjithatë potencojnë se kanë nevojë për një partner që kupton nevojën për të shmangur veprimet destabilizuese dhe që është i përkushtuar për të avancuar stabilitetin rajonal dhe për të mbrojtur të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Ne duam të ecim përpara me qeverinë në detyrë, por na duhet një partner që e kupton nevojën për të shmangur veprimet destabilizuese dhe është i përkushtuar për të çuar përpara stabilitetin rajonal dhe për të mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës”, kanë deklaruar nga DASH.
Lidhur me pyetjen nëse do të ketë ndonjë masë tjetër pasuese për qeverinë në detyrë, përfshirë edhe vetë liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nga DASH kanë thënë se do të vazhdojnë të vlerësojnë veprimet e Qeverisë në detyrë dhe se “s’kanë diçka më shumë për të shtuar në këtë moment”. ‘Në përgjithësi, ne nuk paraflasim për sanksionet”, ka thënë ky zëdhënës i DASH.
Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur keqardhje dhe shqetësim të thellë rreth këtij vendimi. Rreth Kurtit s’e ka thënë asnjë fjalë. Osmani ka thënë se Presidenca do të angazhohet maksimalisht e me përkushtim të lartë që ky dialog të rifillojë sa më shpejt.
E para e vendit ka deklaruar se çështja e aleancës me SHBA-të, është çështje strategjike që kërkon unitet politik dhe angazhim të të gjithëve në Kosovë, duke shtuar se secili duhet ta marrë me seriozitetin dhe përgjegjësinë maksimale ruajtjen e kësaj aleance të shenjtë.
