Wally Funk, pionierja amerikane e aviacionit dhe gruaja më e moshuar që kishte udhëtuar në hapësirë, ka vdekur në moshën 87-vjeçare.
Funk ndërroi jetë në apartamentin e saj në një qendër për të moshuar në Grapevine të Teksasit. Lajmi u konfirmua nga këshilltarja e qytetit dhe mikja e saj, Duff O’Dell.
Ajo realizoi ëndrrën e saj për të shkuar në hapësirë në vitin 2021, kur në moshën 82-vjeçare fluturoi me raketën “New Shepard” të kompanisë Blue Origin, së bashku me themeluesin e Amazonit, Jeff Bezos.
Në atë kohë, Funk u bë personi më i moshuar që kishte udhëtuar në hapësirë. Rekordi i saj u thye më vonë, por ajo vazhdoi të mbante vend të veçantë në historinë e eksplorimit hapësinor si gruaja më e moshuar që kishte realizuar një fluturim të tillë.
Në vitet 1960, ajo ishte njëra nga 13 pilotet e njohura si “Mercury 13”, të cilat iu nënshtruan testeve të ngjashme me ato të astronautëve meshkuj të NASA-s. Megjithëse i kaluan testet, grave nuk iu lejua të bëheshin pjesë e programit të astronautëve.
Jeff Bezos e nderoi Funkun përmes një mesazhi në rrjetet sociale, duke e cilësuar atë shembull të këmbënguljes dhe të ndjekjes së ëndrrave.
