Eva Schloss, e mbijetuar e Holokaustit që në adoleshencë dhe më pas njerka e Anne Frank, si dhe një zë i palodhur kundër paragjykimeve, ka vdekur në moshën 96-vjeçare. Lajmi u bë i ditur të dielën nga fondacioni i saj.
“Eva ishte një grua e jashtëzakonshme: e mbijetuar e Aushvicit, edukatore e përkushtuar e Holokaustit dhe e palodhur në punën për kujtesë, mirëkuptim dhe paqe”, thuhet në deklaratën e Anne Frank Trust UK, organizatë që ajo bashkëthemeloi.
Ndikimi i saj ishte i tillë sa mes atyre që i bënë homazhe ishte edhe Mbreti Charles III i Britanisë së Madhe.
“Unë dhe bashkëshortja ime jemi thellësisht të trishtuar nga lajmi për vdekjen e Eva Schloss”, thuhet në deklaratën e tij. “Tmerret që ajo përjetoi si e re janë të pamundura për t’u kuptuar, megjithatë ajo ia kushtoi pjesën tjetër të jetës së saj luftës kundër urrejtjes dhe paragjykimeve, duke promovuar mirësi, guxim, mirëkuptim dhe qëndrueshmëri.”
Eva Schloss lindi në vitin 1929 në Vjenë të Austrisë, një muaj para Anne Frank. Ashtu si familja Frank, edhe familja e saj u largua drejt Amsterdamit për t’i shpëtuar regjimit nazist. Familjet u njohën atje dhe dy vajzat ndonjëherë luanin bashkë, ndonëse, sipas kujtimeve të Schloss, nuk ishin shumë të afërta.
“Unë isha një vajzë djaloshare, ndërsa ajo shumë më e sofistikuar”, tregonte Schloss për The Guardian në vitin 2013. “Thjesht nuk kishim të njëjtat interesa.”
Familja e saj u fsheh në vitin 1942, në të njëjtën ditë me familjen Frank, dhe qëndroi e fshehur për dy vjet. Në vitin 1944 u tradhtuan dhe u dërguan në kampin famëkeq të përqendrimit Aushvic. Babai i saj, Erich Geiringer, dhe vëllai i madh, Heinz, u vranë atje, duke lënë Eva-n dhe nënën e saj, Fritzi-n, si të vetmet të mbijetuara të familjes.
Pas luftës, Fritzi u ritakua me Otto Frank, babanë e Anne-s, i cili kishte humbur bashkëshorten dhe dy vajzat në Holokaust. Ata u martuan, duke e bërë Eva Schloss njerkën pas vdekjes të shoqes së saj të fëmijërisë.
Schloss u vendos në Londër, ku u martua me Zvi Schloss dhe pati tri vajza: Jacky, Caroline dhe Sylvia. Vetëm në vitin 1988, pas hapjes së një ekspozite kushtuar Anne Frank në Londër, ajo filloi të fliste publikisht për traumën e përjetuar në Aushvic. “Isha larg politikës, por kuptova se bota nuk kishte nxjerrë mësime nga ngjarjet e viteve 1939–1945; luftërat vazhdonin, ashtu si edhe persekutimi, racizmi dhe intoleranca,” citohet ajo nga Muzeu i Shtëpisë së Anne Frank në Amsterdam. “Atëherë vendosa të ndaj përvojën time dhe të bëj thirrje për ndryshime në botë.”
Që prej asaj kohe, Eva Schloss ia kushtoi jetën edukimit mbi tmerret e Holokaustit. Ajo ligjëroi në shkolla dhe universitete, shkroi tre libra “Eva’s Story”, “After Auschwitz” dhe “The Promise” dhe në vitin 1991 bashkëthemeloi Anne Frank Trust UK, një organizatë që synon të edukojë fëmijët e moshës 9 deri në 15 vjeç për rreziqet e antisemitizmit dhe formave të tjera të paragjykimit.