Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kanadasë, Mark Carney, në margjinat e Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Kurti ka bërë të ditur se me Carney kanë diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe, sigurinë dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Ai e ka falënderuar kryeministrin kanadez për mbështetjen e Kanadasë ndaj Kosovës, përfshirë pranimin e mijëra refugjatëve kosovarë gjatë vitit 1999, pjesëmarrjen në intervenimin e NATO-s, kontributin në rindërtim e zhvillim, njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe mbështetjen për anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.
“Në margjina të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), u takova me kryeministrin e Kanadasë, Mark Carney. Biseduam për marrëdhëniet dypalëshe, për sigurinë dhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit. E falënderova për miqësinë dhe përkrahjen e Kanadasë për vendin tonë, për pranimin e mijëra refugjatëve nga Kosova gjatë vitit 1999, për pjesëmarrjen në intervenimin e NATO-s, për kontributin në rindërtim dhe zhvillim, për njohjen e pavarësisë dhe për mbështetjen në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Këtë vit në mars, Kosova me një delegacion qeveritar ishte pjesë e Konventës së Shoqatës së Kërkuesve dhe Zhvilluesve të Kanadasë (PDAC) në Toronto, një nga ngjarjet më të mëdha botërore për sektorin e minierave. Kanadaja, shtet anëtar i NATO-s dhe i G7, është mike dhe partnere e rëndësishme për sigurinë, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të përbashkëta”, ka shkruar Kurti