Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, seanca e së enjtes në rastin ku Bedri Shabani bashkë me Muharrem Qerimin akuzohen për spiunazh, pritet të vazhdojë e mbyllur.
Në këtë rast, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi akuzohen për spiunazh. Qerimi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Nga zyra e kryetarit të trupit gjykues, Rrahman Beqiri konfirmuan se seanca pritet të vazhdojë me dëgjimin e ekspertëve, dhe se derisa të përfundojë dëgjimi i tyre, do të jetë e mbyllur për publikun.
Të mërkurën, me propozim të mbrojtësit të të akuzuarit Bedri Shabani, avokatit Besnik Berisha, seanca është mbyllur për publikun për arsye se do të deklaroheshin ekspertët lidhur me gjetjet e ekspertizës psikiatrike për të akuzuarin Shabani.
“Me qëllim të mbrojtjes së dinjitetit të Bedri Shabanit, mbrojtjes së informatave, se ligjërisht klasifikohen si informacion i privilegjuar dhe nuk mund të ndahet me askënd pa pëlqimin e tij, propozojmë që kjo pjesë e shqyrtimit gjyqësor të mbahet e mbyllur për publikun”, tha Berisha, e që ky propozim më pas iu aprovua nga trupi gjykues.
