Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar në lidhje me raportimet për pezullimin e vendimeve të “Vlora International Airport – VIA” dhe nisjen e hetimeve nga Prokuroria e Tiranës. Në një reagim në Facebook, Pacolli tha se vizita e gazetarit Çim Peka në shtëpinë e tij ishte “një vizitë miqësore” dhe “kurrsesi në rolin e gazetarit apo drejtuesit të ndonjë media.”
Peka postoi dje një fotografi nga shtëpia e Pacollit duke shkruar:
“E kam kontestuar politikisht gjithmone, por pas sulmit te kordinuar ndaj pronave te tij prej mediave te Rames dhe Belindes, ja msyna ne konak. Harrojeni inceneratorin, ajo qe po ndodh ne aeroportin e Vlores eshte “NETFLIX”. Rrini te vemendshem, do degjohemi!”
Ai tha se me Pekën kanë folur për atë që ai e quan “fushatë denigruese” ndaj tij, si dhe për ecurinë e punimeve dhe financimin e aeroportit të Vlorës, financim i cili, sipas tij, “është realizuar 100% me kolateralet e mia personale dhe me asetet e kompanisë sime; financim që, fatkeqësisht disa media, shpresoj nga padija,i kanë dhënë interpretime absurde.”
Sot pashë një postim nga Çim Peka.
Për të shmangur çdo lloj spekulimi të mundshëm, biseda me Çim Peken në shtepinë time, përkufizohët në këto përmbajtje;
Çimi është një mik i imi i vjetër. Me të kam pasur komunikim dhe respekt të ndërsjellë — jemi takuar disa herë dhe më ka vizituar, ashtu si çdo mysafir tjetër. Edhe mbrëm, Cimi ishte mysafir, por kurrsesi në rolin e gazetarit apo drejtuesit të ndonjë media; ishte thjesht një vizitë miqësore, ashtu si e do tradita.
Natyrisht, biseda mes miqve është e pashmangshme dhe folëm për shumë tema, përfshirë edhe fushatën denigruese, të mirë të orkestruar kundër meje, dhe për zanafillën e saj. Diskutuam edhe për aeroportin, përfshirë dhe per kontratën e kredisë për financimin ndër të tjera të punimeve të papërfunduara në aeroportin e Vlorës, financim i cili është realizuar 100% me kolateralet e mia personale dhe me asetet e kompanisë sime; financim që, fatkeqësisht disa media, shpresoj nga padija,i kanë dhënë interpretime absurde.
