Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Agron Limani ka folur lidhur me raportin për gërmimet në komunën e Zubin Potokut, të cilat rezultuan në gjetjen e tri varrezave masive.
Para mediave, Limani tha se këto përpjekje nuk janë të parat, dhe sipas tij nuk do të jenë as të fundit që të gjenden edhe mbetje tjera mortore të personave të zhdukur.
“Opinioni ka qenë i njoftuar për gjetjet në komunën e Zubin Potokut. Ne duam të themi një gjë, që këto nuk janë përpjekjet e para dhe të fundit që janë bërë në këtë zonë, pra përpjekje të tilla për të hulumtuar dhe për të gjetur varreza, qoftë varre individuale apo varre kolektive, janë bërë që nga fillimi i këtij viti, natyrisht janë bërë edhe gjatë viteve tjera, por fatkeqësisht kanë rezultuar pa gjetje konkrete”, u shpreh Limani.
