Masa ajrore mjaft të freskëta të shoqëruara nga fronti i ftohtë ajror do të depërtojnë gjatë natës në Kosovë dhe Shqipëri duke i dhënë fund nxehtësisë së kësaj vere.
Fronti i ftohtë ajror së pari do të shkaktojë destabilizim të atmosferës në Mal të Zi, eventualisht në veri të Shqipërisë, pastaj gjatë natës, eventualisht orëve të mëngjesit të së shtunës do të ketë destabilizim të atmosferës në Kosovë me shtim të konsiderueshëm të vranësirave dhe erëra më të freskëta nga veriu e verilindja.
Në Kosovë priten stuhi lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë ashtu sikurse edhe në shumë pjesë të Shqipërisë.
Reshjet e shiut do të përfshijnë pjesë të Kosovës dhe nuk priten në të gjithë territorin, prandaj mos prisni reshje shiu në të gjitha viset. Ka mundësi që disa rajone në veri dhe lindje të vendit të mbesin pa reshje ose me reshje simbolike, megjithatë në këto raste askush nuk mund të dijë me saktësi ekzakte vendet dhe rajonet e zhvillimeve konvektive, prandaj gjithmonë mund të ketë befasi dhe ndonjë stuhi të paparashikueshme.
